Tre doganierë, një punonjës policie dhe tre shtetas janë arrestuar në sajë të operacionit të koduar “Mjegulla” nga policia e Korçës për kontrabandë mallrash.

Të arrestuar janë Flobenc Gaxho, 45 vjeç, përgjegjës turni në doganën e Kapshticës, Fredi Blushi, 56 vjeç dhe Gentian Keco, 33 vjeç të dy doganierë, dhe punonjësi i policisë, Sali Dervishi, 42 vjeç, si dhe dy shteas, Xhuliano Skënderasi, 34 vjeç dhe Gazmir Shkëmbi, 34 vjeç.

Ndërsa G.A., 32 vjeç dhe S.Sh., 53 vjeç, u shpallën në kërkim. Në hyrje të Bilishtit, shtetasit e lartpërmendur janë kapur në flagrancë duke transportuar në bashkëpunim 22 ngarkesa me veshje të ndryshme të dyshuara kontrabandë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, me mjetet tip ‘Mitsubishi’ me targë AA 478 HV; ‘Volkswgen’ me targë AA 857 FI dhe një mjet kamion me targë AA 233 PT.

Ngarkesa me veshje u transportua nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës. Pesë shtetasit e sillnin sasinë e veshjeve deri në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës me një kamion, të cilin e parkonin në doganën greke dhe më pas brenda ditës kalonin 3-4 herë drejt tokës shqiptare mallrat, me mjete të tjera më të vogla transportuese. Mallrat janë futur kontrabandë nëpërmjet Degës Doganore Kapshticë pasi nuk kanë kryer praktikat doganore.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera, kryer në bashkëpunim” dhe po vijnë hetimet për zbulimin e persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA