Pas humbjes së radhës me Partizanin, trajneri Mark Iuliano duket se tashmë është në pritje të vendimit të drejtuesve të klubit.
“Puna ime është e vështirë, por e bëj gjithnjë në maksimumin e mundësive. Mosshënimi i golave na ka penguar shumë. Krijojmë shumë, por nuk arrijmë të finalizojmë. Futbollistët kanë bërë më të mirën, por goli nuk po arrihet. Kjo skuadër nuk e meriton këtë klasifikim dhe vendimet tani duhet t’i marrin drejtuesit e klubit”, tha Mark Iuliano, trajneri italian i Partizanit.
Sa i përket ndeshjes, ai ndien një keqardhje të madhe. Por pranon edhe kontestimin e tifozëve të Partizanit.
“Është mëkat, sepse skuadra impenjohet shumë. Mjafton një rast të humbasin ndeshjen. Tifozët kanë të drejtë, sepse rezultatet nuk kanë ardhur. Kemi punuar shumë, kemi luajtur shumë, por rezultatet nuk kanë ardhur”, thotë Iuliano.
Por ai i justifikon paraqitjet jo të mira me mungesat e lojtarëve të nevojshëm.
“Më mjaftojnë që të kem ato që i mungojnë skuadrës. Nuk mund të them asgjë për dëshirën apo meritat e kësaj ndeshjeje. Pasi një skuadër që dominon të gjithë ndeshjen dhe në të vetmen goditje e humbet atë, kjo është mëkat. Kjo është e ngjashme edhe me ndeshjet e tjera. Por ne do të kishim tjetër pozicion në klasifikim, me të gjithë futbollistët që nuk i kemi në dispozicion”, shpjegon Iuliano.
Për të ndihmuar skuadrën, sipas Iulianos, duhet të punohet për të arritur më të mirën. “Unë besoj te puna ime. Kushtet nuk janë aspak të mira, por vendimet dhe vlerësimet i bëjnë drejtuesit e klubit”, mbyll deklaratën për “Supersport” trajneri italian. Kjo është humbja e katërt për të kuqtë në 9 javët e para të Superiores, në mbyllje të fazës së parë.
Top Channel