Që pas zgjedhjeve të 25 qershorit Lëvizja Socialiste për Integrim e ka ridimensionuar pozicionin e saj si një forcë aktive në opozitë, por shtyllat kryesore të aksionit të saj politik do të përcaktohen në Konventën Kombëtare të së dielës.

Monika Kryemadhi, e cila mblodhi kryesinë, nuk paralajmëroi surpriza, kur përkufizoi qeverisjen e Ramës dhe reagimin e LSI-së përballë saj.

“LSI e ka deklaruar vazhdimisht se qeveria e Ramës nuk është qeveria e zërit të njerëzve, por zëri i krimit të organizuar. Në këto kushte LSI jo vetëm është pozicionuar qartë dhe prerë në anën e qytetarëve, por ka vendosur që të jetë zëri dhe fjala e tyre, përballë arrogancës që buron nga injoranca dhe kapja e qeverisë nga krimi dhe trafiqet”, tha Kryemadhi.

LSI-ja pritet të rikonfirmojë në Konventë edhe bashkëpunimin me frontin opozitar duke mbajtur fokusin tek ajo që të dy forcat kryesore në opozitë e cilësojnë bashkëqeverisje të Ramës me krimin.

“E kapur nga krimi mazhoranca, e ka kthyer edhe parlamentin në mburojë të krimit duke veshur atë me mburojë politike, siç qe edhe rasti më i fundit i Saimir Tahirit, rast i paprecendent në të gjithë rajonin tonë ku një ministër i Brendshëm akuzohet si lidhje e bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës. Në çdo vend tjetër normal e demokratik një situatë e tillë do të çonte në dorëheqjen e Qeverisë”, vijoi Kryemadhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA