FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Në një takim me tatimpaguesit më të mëdhenj në vend kryeministri Edi Rama u shpreh i kënaqur me rritjen ekonomike, ndërsa tha se synimi është që ajo të jetë mbi 5 për qind.
“Sot kemi një lajm shumë të mirë. Ekonomia bazuar në tremujorin e fundit është rritur me 4.06%, pra, kemi kapur 4-përqindshin. Nuk është mjaft, por është një shenjë tjetër që po shkojmë në drejtimin e duhur. Objektivi ynë është të kapërcejmë 5-përqindshin brenda vitit 2019 dhe kjo është plotësisht e mundur. Të gjitha këto na ndihmojnë të shkojmë në këtë drejtim”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se, pastrimi i rrugës që lidh sipërmarrjen me shtetin është një nga masat kryesore që do të ndihmojë në arritjen e objektivit të rritjes ekonomike mbi 5%.
“Në momentin që rritja ekonomike kalon 5-përqindshin, ju e dini shumë mirë se është rritje ekonomike që fillon e ndihet tek të gjitha shtresat. Fillon ndihet edhe tek familjet e zakonshme, për të cilat, kur u thua nga 1 shkuam në 2 dhe në 3, me të drejtë janë shifra, por nuk janë domethënëse përsa kohë nuk ndjehet në xhepin e tyre dhe në mënyrën e tyre të jetesës. Nëse kalojmë 5-përqindshin, dihet botërisht, për një vend si Shqipëria, kjo fillon bëhet e ndjeshme për të gjithë”, tha Rama.
Në takimin ku ishte edhe minstrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, kreu i qeverisë tha se brenda javës së ardhshme do të publikohet platforma “online” e bashkëqeverisjes, që do të ketë rubrikë të veçantë për biznesin, që të ketë linjë direkte për çdo lloj cënimi dhe sjellje të padenjë të kujtdo që i shkon në derë.
Top Channel