Vepra e Da Vinçit, në ankand për 100 milionë dollarë

25/10/2017 00:12

Ishte shitur për vetëm 60 dollarë në 1958-ën dhe tani ka një vlerë prej 100 milionë dollarësh. Salvator Mundi i Leonardo Da Vinçit, një pikturë e Jezu Krishtit, është cilësuar nga shtëpia e ankandeve ‘Kristis’ si rizbulimi më i madh artistik i shekullit të 21-të.

Aktualisht ajo është ekspozuar në shtëpinë e ankandeve ‘Kristis’, në Londër para se të dalë në shitje, muajin e ardhshëm në New York. Vepra është një nga më pak se 20 pikturat e njohura të Leonardos dhe e vetmja që ka qenë në pronësi private. Kanavaca që daton që prej viteve 1500, sjell imazhin e Krishtit.

Vepra është besuar gjithnjë se ekzistonte, por vendndodhja e saj nuk dihej, deri në rishfaqjen e saj në 2005-ën. Piktura ishte e para e realizuar gjatë mbretërimit të Çarlsit të parë dhe u zhduk nga viti 1763 deri në 1900, kur mbi fytyrën dhe flokët e portretit u mbivendos mjekërr dhe mustaqe. Në 1958-ën, vepra e ndryshuar, u shit për 60 dollarë në një ankand të ‘Shotheby-t’, para se të zhdukej sërish deri në 2005-ën, kur u ble nga një shoqëri amerikane në një shtëpi të vogël ankandesh.

Rizbulimi i saj u pasua nga gjashtë vite kërkimesh intensive për të dokumentuar autenticitetin. ‘Kristis’ tani e ka nxjerrë ‘Salvatos Mundi’ në turne, duke e shfaqur atë në ekspozita në Londër, Hong Kong, New York dhe San Francisko. Në ekspozitën e San Franciskos, ishin me mijëra persona që qëndruan në radhë për orë të tëra, për ta parë atë. Ajo do të dalë në ankand më 15 nëntor në ‘Rokfeller plaza’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA