Një projekt unik shkencor, në të cilin vullnetarët do të trajnohen të lëvizin një pajisje të hekurt duke përdorur vetëm fuqinë e mendjes, do të nisë më 27 tetor.

Projekti i quajtur “Punë mendore” shfrytëzon të ashtuquajturin “Brain-Machine Interfaces”, apo “BMI”, i prodhuar në një laborator në Zvicër. Vullnetarët aktivizojnë 4 makineri, që konsistojnë në manivela me rrëshqitje, duke lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë aktivitetin e trurit me lëvizjet mekanike.

Themeluesi Michael Mitchell shpjegoi procesin për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

“Në fabrikën e ‘Punës mendore’, çdokush mund të vijë dhe ne do ta pajisim me helmetën ‘EEG’, e cila lexon aktivitetin elektrik në trurin e tyre. Helmetat janë të thata, kështu nuk nevojitet xhel për përçueshmërinë”, tha Michael Mitchell.

Një prej pajisjeve ka mësuar sesi të vlerësojë valët e trurit të individëve të ndryshëm, kryesisht pasi vullnetarëve u është kërkuar të imagjinojnë sikur hapin e mbyllin duart. Atëherë makineria është gati për përdorim.

Shkencëtarët që qëndrojnë pas projektit thonë se, ai ka potencial të fuqishëm zbatimi.

“Ai mund të përdoret për ndërtimin e pajisjeve ndihmëse dhe rehabilituese për njerëzit me aftësi të kufizuara njohëse ose motorike. Duke komunikuar drejtpërdrejt përmes aktivitetit mendor, ne mund t’i hapim rrugën një mënyre të re ndërveprimi”, tha Ricardo Chavarriaga, shkencëtar.

Eksperimenti do të nisë në laboratorin “EPFL” në Zvicër, përpara se të transferohet në Shtetet e Bashkuara vitin e ardhshëm. Ai do të zgjasë për 7 muaj.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA