Zgjedhësit japonezë do të japin verdiktin e tyre për thuajse 5 vitet e kryeministrit Shinzo Abe në pushtet, këtë të dielë, në zgjedhjet që do të vendosin nëse ai do të vazhdojë përpara me qëllimin e tij të rishikimit të Kushtetutës paqësore të pasluftës.
Zgjedhësit kanë nisur të votojnë në të gjithë Japoninë që nga ora 7, me atë lokale, në mesin e shirave të rrëmbyeshëm dhe erës së fortë të shkaktuar nga një tajfun i fuqishëm, që iu afrua ishullit Honshu të Japonisë, duke rrezikuar me gjasa pjesëmarrjen në proces.
Parashikimet e medieve tregojnë se basti i Abes me zgjedhjet e parakohshme mund të rezultojë fitues, me partinë e tij liberal-demokrate dhe koalicionin e saj që mund të arrijnë një supershumicë në Parlament.
Një fitore e tillë do të shtonte gjasat që Abe, i cili mori pushtetin në dhjetor të vitit 2012 duke premtuar se do të forcojë mbrojtjen dhe do të rrisë ekonominë, të fitojë një mandat të 3-të si udhëheqës i partisë shtatorin e ardhshëm, e të bëhet kryeministri më jetëgjatë në Japoni.
Ajo edhe do t’i jepte një impuls të ri përpjekjeve të tij për të rishikuar Kushtetutën e pasluftës, nëpërmjet qartësimit të statusit të ushtrisë, por duke mbajtur rritjen ekonomike të vendit në ritmet ekzistuese.
“Situata në botë është e qëndrueshme tani në shumë aspekte dhe unë besoj se partia liberal-demokrate është e vetmja që mund të japë garanci për qëndrueshmërinë, pasi di ta arrijë atë”, tha një zgjedhës.
Sidoqoftë, ka edhe nga ata zgjedhës që thonë se janë të shqetësuar nga politikat dogmatike të Abes.
Top Channel