Presidenti amerikan Donald Trump priti të martën kryeministrin grek, Alexis Tsipras, në Shtëpinë e Bardhë, në një vizitë zyrtare për të përforcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Megjithatë, pas kortezive të rastit dhe premtimeve për bashkëpunim, vëmendja u përqëndrua tjetërkund. I pyetur nga gazetarët, Trump sulmoi sërish ligjin “Obamacare”, të cilin e cilësoi të vdekur dhe se tha se nuk do të lejojë shfrytëzimin e Shteteve të Bashkuara nga vende të tjera.
“Unë nuk do të lejoj Shtetet e Bashkuara të shfrytëzohen nga vende të tjera. Kemi deficit tregtar me thuajse çdo vend. E kuptoj se mund të ndihen keq disa vende dhe udhëheqësit e tyre, por nuk do ta lejoj më këtë”, tha Donald Trump, president i Amerikës.
Në krahun tjetër, kryeministri grek Tsipras u pyet sesi shkoi takimi, duke konsideruar se në maj të vitit 2016, në kuadër të mundësisë së fitores së Trump, ai tha se shpresonte që të mos përballeshin me një ligësi të tillë.
“Dua të konfirmoj se takimi ishte shumë produktiv dhe nuk u ndieva i kërcënuar. Shoh se ka mundësi që të kapërcejmë diferencat që kemi dhe të gjejmë terren të përbashkët”, tha Alexis Tsipras, kryeministër i Greqisë.
Tsipras u tregua mjaft diplomat në shmangien e pyetjes dhe theksoi se është optimist pas takimit që zhvilloi me presidentin Trump.
Top Channel