Siguria ushqimore, Bashkia e Tiranës përmirëson tregjet

11/10/2017 00:00

Duke pasur si qëllim sigurinë ushqimore, Bashkia Tiranë gjatë këtij muaji është përqendruar tek përmirësimi i kushteve të tregtimit.

Pas thertores në Vaqarr, ndërhyrjet e reja kanë si qëllim përmirësimin e kushteve në tregjet ushqimore duke i sjellë ata drejt standarteve moderne sikurse ai tek Pazari i Ri. Të tilla janë ndërhyrjet e tregut në njësinë 2 dhe asaj në njësinë 5, ku ishte vetë kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Jam shumë i kënaqur që ka filluar puna në një kantier tjetër në Njësinë 5. Pasi të ketë mbaruar tregu, pasi të jetë ndriçuar e të jetë pastruar, do të kërkojmë bashkëpunim nga qytetarët që të mos konsumojnë më mall në rrugë. U kërkoj të gjithë ambulantëve që pasi të ndërtohet tregu, të përdorin tezgat, të shërbejnë një metër mbi kanalet e ujërave, për të siguruar higjienë ushqimore”, tha Veliaj.

Hapi i radhës është moslejimi i shitësve ambulantë vend e pavend, por përqendrimi i tyre në këto ambiente të reja: “Të gjitha studimet shkencore tregojnë se një qumësht i blerë në rrugë, një mish i blerë në rrugë është njësoj si të injektosh tek fëmijët të gjitha helmet, të gjitha toksinat dhe të gjitha sëmundjet e kafshës. Fakti që bota e civilizuar e pasterizon qumështin, e kontrollon mishin, i jep të gjithë certifikimet e nevojshme përpara se të konsumohet, do të thotë që edhe ne duhet të bëjmë siç bën e gjithë bota. Ndaj, jo më me legjenda urbane, duhet të kemi sot një sjellje qytetare ndaj konsumit të ushqimeve”.

Punimet për rindërtimin e tregut do të zgjasin 3 javë dhe Veliaj kërkoi mirëkuptimin e banorëve gjatë kësaj periudhe: “U kërkoj të gjithëve bashkëpunim dhe për 3 javë ne do të jemi sërish këtu për të parë që u mbajt fjala dhe që tregu është në kushte optimale dhe pastaj sigurisht që do të pasojë me një aksion në të gjithë zonën, ku do duhet të rehabilitojmë edhe akset rrugore, që janë dhe pak si labirinte”.

Tregu pranë lulishtes “1 maji” pritet të zgjerohet falë këtij investimi dhe në përfundim, nga 12 do të përfshijë 50 vende tregtimi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta