Vrasja e gazetares në Danimarkë

23/08/2017 00:00

Analizat e ADN-së i dhanë fund hamendësimeve dyjavore mbi zhdukjen e gazetares suedeze, Kim Wall, një rast që po bën bujë në Danimarkë.

Ato konfirmuan se, trupi pa kokë e gjymtyrë i gjetur në ujërat e këtij vendi është ai i 30-vjeçares, që u pa gjallë për herë të fundit më 10 gusht, kur u nis për një udhëtim me nëndetësen e shpikësit, Peter Madsen. Nëndetësja 40-tonëshe u mbyt disa orë pasi nisën kërkimet për Wall, kur i dashuri i saj dha alarmin se reporterja “freelancer” nuk ishte kthyer nga udhëtimi.

Materialet krahasuese të ADN-së ishin marrë nga sendet e saj personale.

“Kur vizituam familjen e Kim për ta njoftuar se ajo nuk ishte gjetur në bordin e nëndetëses, siguruam material gjenetik nga krëhëri i flokëve dhe furça e saj e dhëmbëve. Këto kampionë u përdorën për verifikimin e trupit të gjetur, e rezulton se bëhet fjalë për të njëjtin person”, tha Jens Moller, zëdhënës i Policisë së Kopenhagenit.

Kim duhej të realizonte një reportazh mbi nëndetësen “Nautilus”, që Peter Madsen arriti të ndërtonte në vitin 2008 me fonde të grumbulluara nga dhurime vullnetare.

Shpikësi deklaroi fillimisht se e kishte kthyer reporteren shëndoshë e mirë në afërsi të Kopenhagenit, por më pas e ndryshoi versionin e tij të ngjarjeve, duke thënë se 30-vjeçarja kishte vdekur aksidentalisht dhe se ai e kishte varrosur në det.

Trupi i gjetur, nga sa shpjegoi zëdhënësi i policisë, ishte sakatuar në përpjekje për t’i bërë gazet e dekompozimit të dilnin jashtë, në mënyrë që të mos pluskonte në sipërfaqe.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel