Pas Charlottesville, Trump tenton pajtimin

23/08/2017 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka apeluar për një unitet të ri, një ditë pas një tubimi në të cilin ai sulmoi armiqtë politikë dhe median.

Duke folur në Reno, të Nevadës, Trump tha: “Ne jemi një popull, me një shtëpi dhe një flamur të madh. Në Amerikë ne nuk e humbasim asnjëherë besimin, nuk harrojmë asnjëherë kush jemi dhe nuk reshtim asnjëherë së kërkuari një të ardhme më të mirë”.

Trump foli kështu para legjionit amerikan, ndërkohë që qindra protestues ishin mbledhur jashtë godinës.

Në një fjalim 22 minutësh para grupit të veteranëve, Trump lexoi fjalimin nga një prompter dhe tha: “Është koha për të shëruar plagët që na kanë ndarë dhe për të kërkuar një unitet të ri të bazuar në vlerat që na bashkojnë”.

Ai i tha të pranishmëve se në SHBA njerëzit nuk përcaktohen nga ngjyra e lëkurës, nga pamja, paga, apo partitë. Ne, tha ai, përcaktohemi nga humanizmi.

Në një tubim të mbajtur më herët në Arizona, ai kritikoi median për mënyrën se si i kish pasqyruar komentet e tij mbi dhunën në marshimin e supremacistëve të bardhë, në Sharlotsvill të Virxhinias, më herët këtë muaj si edhe dy senatorët e këtij shteti, të dy anëtarë të partisë së tij republikane.

Ai kërcënoi po ashtu se do të mbyllte qeverinë nëse nuk do të miratoheshin fondet për murin e propozuar prej tij në kufirin mes SHBA dhe Meksikës.

Top Channel