Anulohet koncerti në Rotterdam, shkak një makinë me bombola

23/08/2017 00:00

Ajo që mund të ketë qenë ndoshta përpjekja e terroristëve për një Bataklan të dytë, dështoi.

Shënjestra këtë herë do të ishte, sipas gjasave, një koncert në Holandë. Pranë arenës në Roterdam, ku do të zhvillohej eventi, u gjet një furgon me bombola gazi, ndërsa drejtuesi i mjetit të regjistruar në Spanjë është vënë në pranga nga policia.

Ishte sinjalizimi i autoriteteve spanjolle ai që vuri në lëvizje kolegët e tyre holandezë, duke çuar në anulimin e koncertit “rock” të grupit amerikan Allah-Las, i cili ka marrë jo pak herë kërcënime për shkak të emrit të tij. Ai duhet të performonte në “The Maassilo”, por në momentin e fundit u vendos që spektakli të mos mbahej. Kryebashkiaku i Roterdamit, Ahmed Aboutaleb u tha gazetarëve se nuk është vendosur ende një lidhje e qartë mes furgonit dhe një kërcënimi terrorist.

“Kordonë policie rrethuan me urgjencë hollin e koncerteve për të monitoruar atë dhe zonën përreth, ku u gjend një makinë me targa spanjolle e mbushur me bombola gazi. Por, nëse automjeti mund të lidhet me një akt terrorist, kjo nuk është përcaktuar ende”, tha Aboutaleb.

Episodi vjen në mesin e një ndjesie të mprehtë alarmi që kanë ngjallur në Europë sulmet e javës së kaluar në Katalonjë. Burime pranë hetimit megjithatë i thanë agjensisë së lajmeve Reuters se nuk ka ndonjë lidhje direkte mes ngjarjeve në Barcelonë e Kambril dhe informacionit të autoriteteve spanjolle, që thuhet të jetë rezultat i disa verifikimeve të zgjatura në kohë.

Ekspertët mendojnë se sulmet e militantëve të ISIS-it në Kontinentin e Vjetër janë më të çorientuara dhe se grupi ekstremist tani po mbështetet mbi celula diletantësh.

Top Channel