Trump: Nuk ikim nga Afganistani. S’do t’u lëmë vend terroristëve

22/08/2017 00:00

Nuk do të ketë një tërheqje të nxituar të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, sepse do të krijonte një boshllëk për t’u mbushur nga terroristët.

Me këtë arsyetim, Donald Trump i sqaroi amerikanët se ka vendosur të qëndrojë e të luftojë për fitore, në mënyrë që të shmangen gabimet e bëra në Irak, edhe pse instikti fillestar i tij ishte ai i largimit të trupave amerikane nga ky vend.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e bëri të qartë se kërkon ta ndryshojë qasjen e mbështetur në kohë, me një tjetër të varur nga kushtet në terren, duke shtuar se nuk do të vendosë afate.

“E kam thënë e stërthënë, sesa antiproduktive është për Shtetet e Bashkuara t’i njoftojnë paraprapkisht datat kur synojnë të nisin apo përmbyllin misione ushtarake. Nuk do të flasim për numër trupash apo planet tona mbi aktivitetet e mëtejshme të kësaj natyre. Nga ky moment, strategjinë tonë do ta drejtojnë kushtet në terren dhe jo afatet kohore arbitrare”, tha Trump.

Për Afganistanin, megjithatë, ky nuk ka për të qenë një “çek i bardhë”. “Amerika, – deklaroi Trump, – do të punojë me qeverinë afgane, për sa kohë sheh angazhim dhe progres”. Më tej, ai paralajmëroi Pakistanin se Uashingtoni nuk do ta tolerojë më që ky vend të ofrojë “parajsa të sigurta” për ekstremistët, duke i kujtuar se ka shumë për të humbur nëse nuk rreshtohet në krah të amerikanëve.

“I kemi paguar Pakistanit miliarda e miliarda dollarë, – tha presidenti, – e sërish strehon ekstremistë me të cilët ne luftojmë”.

Në të njëjtën kohë që lëshonte akuzat, e hedhura poshtë nga pala pakistaneze, Trump u zotua të forcojë partneritetin me rivalen më të madhe të Islamabadit, Indinë. Ai e bëri gjithashtu të qartë se pret nga aleatët ta mbështesin strategjinë e re, duke u kërkuar të rrisin kontributet e tyre në një linjë me ato amerikane.

Sipas Sekretarit të Mbrojtjes, James Mattis, një sërë shtetesh aleate janë angazhuar tashmë për shtimin e numrit të trupave të tyre ushtarake në Afganistan.

Top Channel