Tërmeti në Ischia, dy viktima e dhjetëra të plagosur

21/08/2017 00:00

Dy gra janë viktimat e tërmetit që goditi mbrëmjen e së hënës ishullin italian të Ischias, ndërsa 40 persona kanë mbetur të plagosur.

Ekipet e shpëtimit arritën të nxjerrin nga rrënojat një foshnje 7-muajshe mashkull, e pasi gërmuan deri edhe me duar, arritën të shpëtonin edhe dy vëllezërit e tij, ndërsa prindërit kanë dalë gjallë nga ferri i përjetuar.

Në faqen e “Twitter”-it, punonjësit e atyre që njihen si “Brigadat” e quajtën një mrekulli shpëtimin e bebes në Casamicciola.

Tërmeti 4 ballësh ka shembur një sërë godinash në ishullin me 50 mijë banorë, të shtrirë pranë brigjeve të Napolit, që është tejet popullor në mesin e turistëve. Kur toka u lëkund në orën 20:57, shumë prej vizitorëve ishin jashtë, nëpër bare e restorante. Epiqendra e tërmetit ishte shumë afër sipërfaqes së tokës, vetëm 5 km thellësi, e ndoshta kjo ka ashpërsuar forcën e tij.

Departamenti i Mbrojtjes Civile në Romë sqaroi se, njëra prej viktimave ka humbur jetën nga gurët e shkëputur prej kishës “Santa Maria del Suffragio”. Trupi tjetër i pajetë u gjend mes gërmadhave të një ndërtese të rrëzuar.

Megjithatë, mjaft persona janë arritur të shpëtohen në rrënoja, e mes tyre është edhe një grua shtatzënë. Pjesë të tëra të ishullit kanë mbetur pa energji elektrike pas tërmetit, që për Institutin Kombëtar italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë ishte 4 ballë, ndërsa për agjencinë europiane të tërmeteve “EMSC” dhe Institutin amerikan të Gjeologjisë “USGS” ka qenë 4.3 ballë.

Tragete shtesë nga Napoli në Ischia janë vënë në dispozicion gjatë natës për të dërguar në ishull punonjës të tjerë shpëtimi, e për t’u lejuar pushuesve largimin. Pas tërmetit, me dhjetëra turistë vendosën t’i mbyllnin më herët pushimet e tyre.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel