Irak, nis ofensiva mbi qytetin e fundit nën kontrollin e ISIS

20/08/2017 00:00

Forcat tokësore irakiane nisën një operacion masiv për marrjen e Tal Afarit, një prej qyteteve të fundit në vend të konstrolluar nga luftëtarët e Shtetit Islamik. “Xhihadistët, – tha kryeministri Haider al-Abadi, – duhet të zgjedhin mes dorëzimit dhe vdekjes”.

Tal Afari u vu në shënjestrën e ushtrisë së Bagdadit pas marrjes së Mosulit në korrik, i cili kishte mbetur fortesa kryesore e ISIS-it në lindje. Tal Afari, me shumicë myslimane shiite, ra në duart e ISIS-it në vitin 2014. Në të kalon rruga kryesore mes Mosulit dhe kufirit sirian, e përdorur dikur nga grupi xhihadist për kalimin e furnizimeve.

Nga përllogaritjet e forcave të koalicionit anti-ISIS, në këtë qytet dhe përreth tij mund të ketë diku nga 50 mijë deri në 100 mijë civilë. Avionët irakianë i kanë bombarduar prej ditësh pozicionet e Shtetit Islamik atje, duke përgatitur terrenin për nisjen e operacioneve tokësore.

Në fjalimin televiziv, kryeministri Al-Abadi u dha zemër trupave irakiane, duke u thënë se në këtë përpjekje e gjithë bota është me ta. Tal Afari rrethohet nga trupat qeveritare dhe milicët shiitë në jug dhe nga “peshmergat” kurdë në veri. Paraushtarakët shiitë nuk luajtën ndonjë rol shumë të rëndësishëm në rimarrjen e Mosulit, por në Tal Afar ata janë shumë aktivë.

Top Channel