Boston, kundërshtohet tubimi i ekstremistëve të djathtë

20/08/2017 00:00

Marshimi kundër një tubimi të ekstremit të djathtë ka tërhequr me qindra mijëra protestues kundër racizmit në Boston të Shteteve të Bashkuara.

Policia e kishte bërë të qartë më përpara se nuk do ta toleronte dhunën në mitingun e aktivistëve konservatorë të lirisë së fjalës dhe atë të kundërprotestuesve. Por, pavarësisht përpjekjeve të saj, gjatë protestës që zgjati dy orë nuk munguan përplasjet.

Grupet e aktivistëve të majtë, ndër ta edhe “Black Lives Matter”, kishin planifikuar të kundërprotestonin ndaj aktivitetit të organizuar që muajin e kaluar nga grupimi “Fjala e lirë e Bostonit”, i përbërë prej një koalicioni “libertarianësh, progresistësh, konservatorësh dhe të pavarurish”.

Njëri prej organizatorëve të këtij grupi, John Meddlar u pati thënë kanaleve mediatike se, në tubim nuk do të ishin të mirëpritur supremacistët e bardhë, ndërsa denonconte edhe grupimet raciste, si “Ku Klux Klan”, duke u distancuar prej tyre e duke shpjeguar se nuk kanë asnjë lidhje me tubimin në Charlottesville.

Deklarata të tilla nuk mjaftuan, sidoqoftë, për të shmangur kundërprotestën e zhvilluar nën moton “Të luftojmë supremacinë”. Pjesëmarrësit e tij vërshuan nga çdo cep i qytetit, duke i rrethuar rivalët në zonën “Boston Common”.

Efektivët e policisë u përpoqen t’i mbanin në distancë, e u kthyen edhe vetë në shënjestra të gurëve dhe shisheve të mbushura me urinë. 33 vetë përfunduan në pranga. Shumë prej protestuesve kundër racizmit mbanin “stickers” me foton e 32-vjeçares Heather Heyer, të shtypur me makinë në Charlottesville, një incident ky që i ka shtuar ndjeshëm tensionet në vend.

Mitingut për lirinë e fjalës iu dha leja nga qyteti i Bostonit për t’u zhvilluar në parkun qëndror të qytetit në mesditë, me një maksimum të lejueshëm prej 100 personash, ndërsa kundërprotestuesit e “Black Lives Matter” nuk e kishin marrë një leje të tillë, pavarësisht se në marshim morën pjesë me mijëra vetë.

Top Channel