Sulmi në Finlandë, akt terrorist

19/08/2017 00:00

Policia finlandeze beson se vrasja e dy personave në qytetin jugperëndimor të Turkut gjatë së premtes, ishte një sulm terrorist.

Agresori, i cili u arrestua pasi u plagos në këmbë nga efektivët, është një 18-vjeçar maroken. Dy finlandezë u qëlluan për vdekje me thikë, ndërsa 8 të tjerë u plagosën, mes tyre dy suedezë dhe një italian.

Policia bastisi një apartament dhe vuri në pranga disa persona gjatë natës. Në një deklaratë të publikuar të premten thuhet se informacionet e siguruara gjatë natës sugjerojnë se bëhej fjalë për vrasje me sfond terrorist.

Identiteti i 18-vjeçarit maroken ishte i njohur nga autoritetet edhe pse ende nuk e kanë publikuar atë.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi pranë tregut Putori, në Turku, në 16:02 të orës lokale të së premtes, kur një person nisi të qëllonte me thikë kalimtarët. Dëshmitarët thonë se ai kishte vrapuar drejt një sheshi të afërt duke qëlluar persona të tjerë, përpara se të arrestohej në 16:05.

Deri më tani, Finlanda nuk ishte përballur ndonjëherë me sulme terroriste.

Top Channel