Sulmi në Barcelonë, policia kërkon drejtuesin e makinës

19/08/2017 00:00

Drejtuesi i automjetit që shkaktoi 13 viktima e mbi 100 të plagosur në bulevardin e famshëm të Barcelonës, Las Ramblas, mund të jetë ende i gjallë dhe në arrati.

Policia spanjolle bëri të ditur se është vënë në kërkim të marokenit Younes Abouyaaqoub, i cili, sipas mediave spanjolle, është shoferi i furgonit. 22-vjeçari  jetonte në qytetin e vogël të Ripoll në veri të Barcelonës, ku policia ka arrestuar 3 vetë. Një person i katërt u ndalua në Alkanar. Një person që më herët ishte identifikuar si i dyshuari kryesor, Moussa Oukabir, 17 vjeç, konfirmohet të jetë mes 5 terroristëve të vrarë nga policia më vonë gjatë sulmit tjetër në Kambrils, në perëndim të Barcelonës.

Oukabir dyshohet se me dokumentat e të vëllait kishte marrë me qira furgonin e përdorur për sulmin në Barcelonë dhe një tjetër që u gjet disa orë më vonë në qytezën e Vik, me të cilin kishin planifikuar të arratiseshin. Sipas autoriteteve, të dyshuarit kishin planifikuar të zhvillonin sulme më të sofistikuara, por një shpërthim aksidental që ndodhi të mërkurën në qytezën Alkanar i privoi agresorët nga eksplozivët e i detyroi ata t’i drejtoheshin metodave më të thjeshta.

Të gjithë viktimat e sulmit në Las Ramblas ishin turistë, mes të cilëve dy italianë, një amerikan, një kanadez, një spanjoll dhe një portugez. 7-vjeçari Julian Cadman, me kombësi britaniko-australiane, i cili u nda nga e ëma gjatë sulmit, është zhdukur. 60 persona janë ende të shtruar në spital, 15 prej të cilëve në gjendje kritike.

I ashtuquajturi Shteti Islamik mori përsipër autorësinë e sulmit në Las Ramblas edhe pse nuk është e qartë nëse ndonjë nga agresorët ishin të lidhur direkt me grupin apo ishin frymëzuar prej tij.

Top Channel