Erdogan zemëron Merkelin, thirrje turqve që të mos e votojnë

19/08/2017 00:00

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i bëri thirrje turqve në Gjermani që të votojnë kundër partive të mëdha në zgjedhjet e muajit të ardhshëm dhe i quajti kristian-demokratët e Angela Merkelit armiq të Turqisë.

Gjatë një fjalimi të ashpër pas lutjeve të së premtes në Stamboll, Erdogan u kërkoi turqve etnikë në Gjermani tu japin një leksion këtyre partive.

“U them të gjithë bashkombasve të mi në Gjermani: kristian-demokratët, SPD-ja dhe Partia e Gjelbër janë të gjithë armiq të Turqisë. Mbështesni ato parti që nuk janë armiq për ne”, tha Erdogan.

Deklaratet e Erdoganit, ndër më të fortat e bëra deri më tani kundër kandelares Merkel nxitën kundërpërgjigje të ashpër nga liderja gjermane, qeveria e saj dhe disa organizata turke në Gjermani, që nxorrën në pah krisjen e thellë mes aleatëve të NATO-s dhe partnerëve të ngushtë tregtarë.

“Nuk do të tolerojmë asnjë lloj ndërhyrjeje”, ishte reagimi i prerë i Merkelit gjatë një tubimi në qytetin perëndimor të Hefordit, ndërsa ministri i Jashtëm Sigmar Gabriel i cilësoi komentet si një ndërhyrje të paprecedentë në sovranitetin e Gjermanisë.

Lidhjet mes Ankarasë dhe Berlinit u përkeqësuan ndjeshëm pas grushtit të dështuar të shtetit, kur autoritetet turke shkarkuan nga detyra 150 mijë njerëz e burgosën më shumë se 50 mijë të tjerë, përfshirë shtetas gjermanë.

Gjermanët votojnë në 24 shtator në zgjedhjet e përgjithshme, ku Merkel kandidon për një mandat të katërt. Sondazhet flasin për një avantazh të rehatshëm të partisë së saj konservatore kundrejt social-demokratëve.

Top Channel