Trump reagon me rrëfenja pas ngjarjes në Barcelonë

18/08/2017 00:00

Presidenti Donald Trump ka thënë se, para se të bëjë një deklaratë mbi çështje të rëndësishme do të donte të njihte faktet dhe të ishte korrekt.

Ndërkohë që iu përgjigj sulmit terrorist në Barcelonë, duke shpërndarë një postim në “Twitter”, në të cilin fliste për histori që shumëkush i konsideron trillime.

“Shikoni se çfarë u bënte terroristëve kur i kapte, gjenerali Pershing i Shteteve të Bashkuara. Nuk kishte më terrorizëm radikal islamik për 35 vite”, i tha ai 36.1 milionë ndjekësve të tij në “Twitter”.

Trump i referohej mesa duket një praktike të supozuar të qëllimit të myslimanëve me plumba të lyer me gjak derri, ose varrosjen e tyre bashkë me trupa derrash.

Ka pasur zëra se, gjenerali John J. Pershing përdorte taktika të tilla pas luftës mes SHBA dhe Filipineve, me qëllim që të frikësonte rebelët.

Më herët, Trump i ishte referuar kësaj praktike gjatë një tubimi në shkurt të vitit 2016. Në historinë që ai tregoi atëherë, forcat e Pershing kapën 50 të burgosur myslimanë. Pershing, sipas Trump kishte thënë: Merrni 50 plumba dhe lyejini me gjak derri.

Njerëzit e tij mbushën pushkët me këta plumba dhe ai renditi krah njëri-tjetrit 50 vetë. Ata qëlluan 49 dhe të 50-it i thanë: Shko te njerëzit e tu dhe tregoju çfarë ka ndodhur.

Dhe për 25 vite nuk pati asnjë problem. Në librin e tij me kujtime, Pershing shkruan për një tjetër komandant në Filipine, që të paktën një herë kishte varrosur myslimanë në të njëjtin varr me derra të ngordhur.

Por sipas analistëve, kjo anekdotë nuk mbështet pretendimin e Trumpit dhe as historinë e treguar prej tij, apo idenë se ajo ishte efektive për parandalimin e sulmeve në të ardhmen.

Top Channel