Sulmet me makina, trend i frikshëm që zor se parandalohet

18/08/2017 00:00

Ai që nisi 15 korrikun e vitit 2016, në Nicë të Francës, si një episod i ndryshëm nga sulmet me bomba e të shtëna mbi njerëzit, mori shumë shpejt trajtat e një trendi, që prej një viti tashmë po njeh vetëm rritje.

Goditja me makina është kthyer në mënyrën e preferuar për të mbjellë terror në qytetet europiane. Por a mund të bëhet më shumë për të parandaluar ngjarje të tilla?

Në urën “Westminster” në Mbretërinë e Bashkuar janë vendosur barriera të reja mbrojtëse për t’u penguar përplasjen me kalimtarët automjeteve, e zyrtarët vendas të sigurisë po diskutojnë verifikimet e detyrueshme mbi personat që marrin furgonë me qira.

Por një sulmues mund të përzgjedhë çfarëdolloj zone tjetër të mbushur me njerëz, për të çuar deri në fund planin e tij.

Problemi tjetër është se sulme të tilla nuk janë shumë të zorshme për t’u planifikuar. Mjafton një makinë që mund të sigurohet lehtë, nuk ka nevojë të blesh armë e të sigurosh eksplozivë.

Kjo formë e re brutale dhe destruktive e akteve të terrorit po merr shumë shpejt formën e asaj, së cilës zyrtarët i druheshin më shumë: goditjes së beftë e të paparashikueshme që bën kërdinë, e ndaj së cilës masat praktike janë thellësisht të kufizuara.

Shërbimet e sigurisë në Britani dhe ata në mbarë Europën e kanë shumë të qartë sesa të kufizuara janë veprimet që mund të bëjnë për të ndaluar akte të tilla, ku arma e përdorur është lehtësisht e aksesueshme, ndërsa agresorëve nuk u kërkohet ndonjë trajnim i veçantë.

Barrierat në rrugë mund të ofrojnë sigurisht një lloj mbrojtjeje, por ekspertëve të antiterrorizmit nuk u mbetet gjë tjetër veçse të pranojnë se e kanë të pamundur t’i ndalojnë të gjitha sulmet.

Top Channel