Spanjë, parandalohet sulmi i dytë. Vriten 5 terroristë

18/08/2017 00:00

Policia spanjolle arriti të ndalojë një sulm të dytë me makinë, pas episodit tragjik të Barcelonës. Efektivët ekzekutuan 5 sulmuesit në qytetin Cambrils, të cilët sipas autoriteteve vendase të sigurisë mbanin në trup breza me eksplozivë.

Zyrtarët mendojnë se ka një lidhje mes këtyre dy ngjarjeve dhe shpërthimit në një shtëpi të Alcanarit mbrëmjen e së mërkurës, ku mbeti i vrarë një person. Banorët e saj, nga sa pohoi shefi i policisë spanjolle, Josep Lluis Trapero, kanë qenë sipas gjasave duke përgatitur një “bombë artizanale”.

Një prej 7 të plagosurve në Cambril, një grua e lënduar rëndë ndërroi jetë më vonë, duke e çuar në 14 bilancin e jetëve të humbura nga të dy atentatet që tronditën Spanjën e mbarë kontinentin e vjetër. Makina e lëshuar drejt një grupi njerëzish në shëtitoren e plazhit të këtij qyteti, më pas u përmbys dhe agresorët u gjendën përballë plumbave të policisë, që arriti kështu të shmangë më të keqen.

Drama e Las Ramblas zor se mund të parandalohej. Kërkimet për shoferin e mikrobusit të përdorur në sulmin e Barcelonës, i cili është larguar nga vendngjarja në këmbë, po vazhdojnë.

Dokumentet e Driss Oubakir ishin çelësi për marrjen me qira të furgonit të tragjedisë. Disa raporte në mediet lokale lanë më herët të kuptohej se i riu te të 20-at, i lindur në Marok, kontaktoi me autoritetet duke u shpjeguar se nuk ka asnjë lidhje me sulmuesit dhe se dokumentet ia kishin vjedhur.

Shtypi vendas, megjithatë, nxjerr fakte të tjera, sipas të cilave në timon mund të ketë qenë vëllai i vogël i tij, 18-vjeçari Moussa Oukabir, ndërsa shpjegon se vëllezërit kishin dyshtetësi: spanjolle dhe marokene.

Përgjegjësinë e ngjarjes në Las Ramblas e mori Shteti Islamik, që përmes një deklarate të shkurtër, të përcjellë nga agjencia e tij e lajmeve “Amaq”, sqaronte se sulmi ishte ndërmarrë nga ushtarët e vet, pa dhënë prova të mëtejshme apo detaje në mbështetje të këtij pretendimi.

Barcelona është qyteti më i fundit europian i përballur me trendin e tmerrshëm në rritje të goditjes së njerëzve me makina e kamionë. Sulmet e kësaj natyre mbi të ashtuquajturat “shënjestra të buta” nisën vitin e kaluar në Nicë të Francës, vazhduan me atë në tregun e Krishtlindjes në Berlin dhe më pas goditjet në “Westminster” dhe urën e Londrës.

Kryeministri spanjoll shpalli 3 ditë zije kombëtare dhe një minutë heshtjeje u mbajt mesditën e së premtes në nder të viktimave.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel