Përmbytjet në Azi, 16 mln njerëz të prekur nga katastrofa

18/08/2017 00:00

Më shumë se 16 milionë njerëz janë prekur rëndë nga përmbytjet që kanë përfshirë disa vende në Azinë Jugore.

Në Nepal, Bangladesh dhe Indi besohet se deri më tani të paktën 500 persona kanë humbur jetën, shifër që mund të rritet me kalimin e ditëve.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna kanë bërë thirrje për ndihma. Situata më alarmante, sipas tyre, është në Bangladesh dhe Nepal, ndërkohë që përmbytjet kanë prekur edhe 11 milionë njerëz të tjerë në veri të Indisë.

Mijëra janë zhvendosur nga banesat e tyre dhe kriza për ushqime dhe ilaçe bëhet akoma më urgjente.

“Kjo krizë po shndërrohet me shpejtësi në një nga krizat më të mëdha humanitare që rajoni ka parë ndër vite, ndaj duhet një veprim urgjent për të përmbushur nevojat elementare të miliona njerëzve”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Përveç vërshimit të ujit dhe rrëshqitjes së dherave, banorët e zonave të prekura nga reshjet e furishme kërcënohen edhe nga sëmundjet infektive, që përhapen me shpejtësi për shkak të kushteve higjenike.

Top Channel