Trump dënon heqjen e statujave të luftës civile

17/08/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump denoncoi të enjten heqjen e statujave e monumenteve të konfederatës, me një debat të nxehtë kombëtar për lidhjet racore në SHBA.

Përmes një postimi në “Twitter”, numri një i Uashingtonit tha se ndihej i trishtuar për faktin që historia e Shteteve të Bashkuara po dëmtohej me heqjen e statujave dhe monumenteve.

“Historinë nuk mund ta ndryshosh, por mund të mësosh prej saj”, shkruan presidenti Trump. Udhëheqësi i Shtëpisë së Bardhë u kritikua ashpër kur mbrojti organizatorët e një manifestimi të supremacistëve të bardhë, ku humbi jetën një grua dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Protesta në Charlottesville të Virxhinias, e mbështetur nga neofashistët dhe supremacistët e bardhë, kundërshtonte heqjen e statujës së Robert Lee, një gjeneral që kishte luftuar për konfederatën proskllavërisë gjatë luftës civile amerikane.

“Robert Lee, Stonewall Jackson, po tani kush e ka radhën? Washington, Jefferson? Shumë qesharake”, vijon më tej Trump në një seri postimesh. Ai shton se bukuria që po dëbohet nga qytetet e parqet do t’i mungojë shumë vendit, e nuk do të mund të zëvendësohet më.

Ngjarjet në Charlottesville rihapën një debat të vjetër mbi statujat që nderojnë figura të Konfederatës. Shumë njerëz kërkojnë heqjen e tyre, të tjerë thonë se nuk duhet fshirë historia. Sipas revistës “Slate”, në të gjithë vendin ka rreth 13 mijë statuja të Konfederatës, që ndodhen edhe në shtete jashtë perimetrit gjeografik të saj.

Top Channel