Sulm terrorist në Barcelonë, furgoni përplas këmbësorët. 13 të vdekur

17/08/2017 00:00

Të paktën 13 vetë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan pasi një furgon hyri në zonën e famshme turistike të Barcelonës Las Ramblas, duke përplasur kalimtarët e duke ngjallur tmerr dhe panik. Policia tha se ngjarja po trajtohej si sulm terrorist.

Kreu i rajonit Katalanas tha se dy persona ishin arrestuar ndërsa mediat spanjolle raportojnë se një tjetër i dyshuar ka humbur jetën pas një konfrontimi me policinë.

E përditshmja El Mundo, shkruan se përplasja e armatosur ndodhi në Sant Just Lesvern, në periferinë e qytetit. Policia ka publikuar ndërkohë foton e një personi, të quajtur Driss Oubakir, që mendohet se ka marrë me qira furgonin e përdorur për ta përplasur mbi këmbësorët.

Mediat lokale thonë se ai është rreth të 20-tave dhe ka lindur në Marok ndërkohë që nuk është e qartë nëse ai është mes të arrestuarve.

I ashtuquajturi shteti islamik, tha ndërkohë se qëndron pas sulmit në Las Ramblas, duke nënvizuar në një deklaratë të publikuar në agjencinë e lajmeve Amaq, se sulmi ishte kryer nga ushtarët e shtetit islamik por, grupi nuk dha prova apo detaje të mëtejshme që të mbështeste pretendimin e tij.

Dëshmitarët thanë se furgoni kishte marrë në shënjestër njerëzit, duke u zhvendosur nga njëra anë e rrugës në tjetrën, ndërsa përshkonte Bulevardin. Mediat spanjolle, raportuan se shoferi i furgonit, një Fiat i bardhë i marrë me qira në qytet, ishte larguar në këmbë.

Kryebashkiakia e Barcelonës, Ada Colau, tha se qyteti do të mbante një minutë heshtje mesditën e të premtes ndërsa kryeministri Mariano Rahoi u nis drejt Barcelonës dhe kërkoi koordinim maksimal për të arrestuar agresorët, për të përforcuar masat e sigurisë dhe për të ndihmuar të lënduarit.

Shtetet e bashkuara ndërkohë kanë ofruar ndihmën e tyre. Sekretari amerikan i shtetit, Rex tillerson, tha edhe se ndihmë konsullore do t’i jepej të gjithë amerikanëve në qytet.

“Terroristet duhet ta dinë se SHBA dhe aleatët tanë janë të vendosur që tju gjejnë dhe t’ju nxjerrin para drejtësisë”, u shpreh Tillerson.

Kryeministrja britanike Theresa May tha se mendimet e saj shkonin për viktimat dhe shtoi se Britania qëndron përkrah Spanjës, kundër terrorit. Edhe presidenti francez, Emanuel Macron nënvizoi se në këto momente, jemi të bashkuar dhe të vendosur kundër terrorit.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel