Bota ka më shumë besim te Putin sesa te Trump

17/08/2017 00:00

Bota ka më shumë besim te Vladimir Putin, sesa te Donald Trump. Udhëheqësi i Kremlinit tejkalon me 5 pikë përqindjeje kreun e Shtëpisë së Bardhë sa i përket besueshmërisë, në një sondazh të realizuar nga “Pew Research Center”.

Sipas të dhënave të sondazhit, nëse mes amerikanëve mbështetja për presidentin e tyre është në nivelin 39.5 për qind, jashtë Shteteve të Bashkuara ajo shembet në 22 për qind. Plot 74 për qind e të intervistuarve nuk kanë aspak besim te numri një i Uashingtonit.

Putin, ndërkohë, kap 27 për qind të mbështetjes, që në Rusi arrin në 81 për qind, një nivel tepër i lartë ky.

Kohës së Barack Obamës, të cilin e donte e gjithë Europa, duket se i ka ardhur fundi. Në Gjermani, besimi tek ish-presidenti amerikan ishte 86 për qind, ndërsa tani vetëm 11 për qind përkrahin Trumpin.

Situata nuk është më e mirë në Francë, ku kreu amerikan gëzon reputacion të mirë vetëm te 14 për qind e popullsisë. Rezultatet nuk shkëputen shumë as në Britaninë e Madhe e Kanada, ku besimi për Trumpin është në nivelin 22 për qind.

Për të gjetur persona që kanë besim te kreu i Shtëpisë së Bardhë duhet të zhvendosemi në pjesë të tjera të botës, si në Indi apo Nigeri, ku mbështetja është respektivisht 40 dhe 58 për qind. Në 37 vendet ku është realizuar sondazhi, Trump tejkalon Obamën vetëm në Izrael, ku besimi për të arrin në 56 për qind, si dhe në Rusi me 53 për qind kundrejt 11 përqindëshit të përkrahjes që kishte Obama.

Nivelin më të ulët të aprovimit, Trump e prek në Iran e Meksikë, ku 76 për qind janë kundër tij.

Top Channel