Ngjarjet në Virxhinia, vazhdojnë reagimet kundër Trump

16/08/2017 00:00

32 vjeçarja e vrarë, pasi një nacionalist i bardhë përplasi makinën e tij mbi demostruesit anti racistë, në Sharlotsvill, është nderuar në një meshë në qytezën jugore amerikane.

Heather Hayer u vra disa orë pas fillimit të përleshjeve mes nacionalistëve, që merrnin pjesë në tubimin “Bashkoni të djathtën” dhe anti protestuesve.

Reagimi ndaj këtyre zhvillimeve, është bërë tani sfida më e madhe e brendshme me të cilën po përballet presidenti Donald Trump, që është sulmuar nga i gjithë spektri politik, pasi fajësoi për dhunën të dyja palët, pa drejtuar gishtin tek nacionalistët e bardhë.

Të fundit në vargun e personaliteteve që kanë reaguar duke kritikuar Trump, janë edhe dy ish presidentët Bush, i riu dhe i vjetri, që në një deklaratë, kanë apeluar që të refuzohet urrejtja raciale, anti semitizmi dhe urrejtja e të gjitha formave.

“Ndërsa ne lutemi për Sharlotsvillin, kujtojmë të vërtetat themelore të regjistruara në deklaratën e pavarësisë. Ne jemi krijuar të gjithë njëlloj dhe na janë dhënë nga krijuesi ynë të drejta të patjetërsueshme. Ne e dimë që këto të vërteta janë prevaluese sepse ne e kemi parë madhështinë e vendit tonë”, thuhej në deklaratën e rrallë të dy ish presidentëve republikanë.
Ata bëhen kështu figurat e fundit nga kampi republikan, që i japin presidentit Trump një shuplakë për reagimin e tij ndaj dhunës, që arriti kulmin me vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e 20 të tjerëve.

Republikanët u ndjenë të fyer kur Trump u duk se mbrojti organizatorët.

“Mendoj se duhen fajesuar të dyja palët. Në çdo histori, ka dy anë”, ishte përgjigja e Trump për gazetarët, në një konferencë të tensionuar shtypi.

Ai dënoi shoferin që përplasi makinën mbi protestuesit, por tha se mes atyre që kishin marshuar në mbrojtje të statujës, kishte shumë njerëz të mirë.

Demokratët pa dyshim, por edhe shumë republikanë, përfshirë John McCain, Jebb Bush, Marko Rubio, Pol Ryan e të tjerë, kanë dënuar ashpër supremacistët e bardhë dhe fjalët e presidentit, duke thënë se s’mund të ketë barazi morale mes protestave kundër racizmit dhe atyre pro tij.

Top Channel