“Cicërima” antiraciste e Obamës, më e pëlqyera në histori

16/08/2017 00:00

Mesazhi i publikuar në “Twitter” nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, i cili dënonte racizmin pas mitingut të ekstremistëve të djathtë në Charlottesville të Virxhinias, është bërë “cicërima” më e pëlqyer në histori, me më shumë se 3 milionë përdorues të këtij rrjeti social që e kanë miratuar atë çfarë ka shkruar ai.

Në “cicërimën” që citonte presidentin e ndjerë të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, shkruhej: “Askush nuk ka lindur me urrejtje ndaj një tjetër personi për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij, formimin apo besimin e tij”.

Ish-presidenti amerikan e pasoi atë mesazh me disa fraza më shumë nga libri autobiografik i Mandelës, “Rruga e gjatë drejt lirisë”. “Njerëzit mund të mësojnë të urrejnë dhe, nëse mund të mësohen për të urryer, sigurisht që mund të mësohen edhe për të dashur. Kjo, sepse dashuria vjen më natyrshëm për qeniet humane, sesa urrejtja”.

Edhe këto “cicërima” të tjera kanë marrë mbi një milion pëlqime secila, si dhe me qindra mijëra ripostime.

Protestuesit e ekstremit të djathtë, që kundërshtonin heqjen e një statuje të gjeneralit Robert E. Lee nga parku “Emancipation”, u mblodhën në një miting proteste në Charlottesville të shtunën. Shumë prej tyre valëvisnin pishtarë dhe mbanin veshje me shenja të nazizmit apo të tjera në lidhje me supremacinë e të bardhëve. Ata u përballën deri në përleshje me njerëz të tjerë që dolën kundër kësaj proteste, kryesisht aktivistë antifashistë, ndaj të cilëve një person drejtoi edhe automjetin e tij, duke vrarë aktivisten e të drejtave të njeriut, Heather Heyer, e duke plagosur shumë të tjerë.

Top Channel