Shënimi për hebrenjtë në hotelin zviceran shkakton zemërim

15/08/2017 00:00

Izraeli i shprehu zemërim të thellë qeverisë zvicerane, për një tabelë hoteli që u kërkonte klientëve hebrej të bënin dush para se të hynin në pishinë.

Tabela e shkruar në anglisht u vendos në hotelin “Paradies” në resortin malor të Arosas dhe shkaktoi shumë kritika.

Në shënimin e printuar mbi një letër shkruhet qartë se, klientët hebrej, burra, gra dhe fëmijë duhet të lahen para se të përdorin pishinën, përndryshe ajo do të mbyllet.

Paralajmërimi u dha nga shefja e stafit, Ruth Thoman, e cila kërkoi falje për ngatërresën që kishte shkaktuar dhe tha se i kishte zgjedhur fjalët gabim. Por justifikimet e saj nuk i hynë në punë Ministrisë së Jashtme izraelite, që e cilësoi mesazhin një akt antisemit të llojit më të keq dhe më të shëmtuar.

Veç ofendimit të qartë për pastërtinë, mesazhi prek një nerv shumë të ndjeshëm për hebrenjtë, pasi gjatë holokaustit, nazistët i dërgionin ata te dushet, që në fakt ishin dhomat e gazit. Tabela tashmë është hequr, por autoritetet izraelite kërkuan ndëshkimin e përgjegjësve për aktin.

Top Channel