Efekti Charlotesville, rrëzohet statuja e Konfederatës

15/08/2017 00:00

Protestuesit në Karolinën e Veriut rrëzuan një statujë të quajtur “Monumenti i ushtarëve të konfederatës” duke thirrur “Populli i bashkuar nuk do të mundet kurrë”.

E gjithë kjo ndodhi pasi një tubim i nacionalistëve u shndërrua në vdekjeprurës në Virxhinia, duke u marrë jetën tre personave.  Monumenti i rrëzuar në Durham paraqet një ushtar që mban një pushkë, mbi një piedestal ku shkruhet: “Në kujtim të djemve që u veshën me gri”.

Gjatë manifestimit, një person u ngjit me shkallë dhe me një litar në dorë në majën e statujës, ndërsa turma thërriste “Ne jemi revolucioni”.

Protestuesit më pas tërhoqën litarin dhe shpërthyen në brohoritje kur statuja u rrëzua në tokë.  Nga Nju Jorku në Indiana e Kaliforni, shumë demonstrata janë organizuar që nga e shtuna, kur Heather Heyer u vra në Sharlotsvill, ndërsa po merrte pjesë në një antiprotestë ndaj tubimit të nacionalistëve të bardhë.

Presidenti amerikan, Donald Trump është sulmuar nga i gjithë spektri politik se nuk ka reaguar me aq forcë sa duhet ndaj dhunës së të shtunës në Sharlotsvill të Virxhinias. Kritikët thonë se Trump ka pritur gjatë për të dënuar gjakderdhjen dhe për të denoncuar urrejtjen dhe dhunën pa përmendur aspak nacionalistët e bardhë që konsiderohen si nxitës së dhunës.

Demokratët thanë se reagimi i Trumpit tregonte ngurrim për të mos zemëruar nacionalistët e bardhë që sipas tyre, janë të fuqishëm në disa segmente të bazës politike të Trumpit.

Top Channel