Sulm në Burkina Faso, dhjetëra viktima e të plagosur

14/08/2017 00:00

17 persona u vranë dhe 8 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një sulmi terrorist në Ouagadougou, kryeqyteti i Burkina Fasos.

Autoritetet lokale dhe dëshmitarët e ngjarjes treguan se tre agresorë të armatosur hapën zjarr mbi klientët e ulur në një restorant. Pak çaste më vonë, agresorët u eleminuan fizikisht nga policia, që mbërriti në vendngjarje me shpejtësi dhe u përball me ta.

Megjithëse sulmi nuk është marrë ende përsipër, autoritetet dyshojnë se bëhet fjalë për degë të Al-Kaedës që janë aktive në rajon. Janarin e vitit të shkuar, një sulm i ngjashëm në një kafene i kushtoi jetën 30 personave.

Policia në kryeqytetin e Burkina Fasos tha se nuk është ende e qartë se sa terroristë morën pjesë në sulm, prandaj niveli i sigurisë është mjaft i lartë, ndërsa vijojnë operacionet në zonën rreth vendngjarjes.

Mediat lokale raportojnë se mes viktimave ka edhe shtetas të huaj, por kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Sulmet terroriste nuk janë të pazakonta në këtë vend afrikan, që bën pjesë në rajonin e Sahelit bashkë me Malin, ku grupet islamike janë aktive që prej vitit 2012.

Top Channel