Rasti misterioz në Kubë, SHBA dëbon dy diplomatë kubanë

10/08/2017 00:00

Uashingtoni dëboi dy diplomatë kubanë pasi stafi i ambasadës amerikane në Havana u prek nga simptoma  misterioze fizike, bëri të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur, me zëdhënëse Heather Nauert që tha se nuk kishin marrë përgjigje të sakta lidhur me shkakun apo burimin nga Havana zyrtare.
Një zëdhënës qeveritar i cituar nga Agjencia e Lajmeve Reuters, deklaroi se disa pjestarë të stafit diplomatik amerikan kishin pësuar humbje të dëgjimit. Ministria e Jashtm e Kubës  tha se ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit. Ajo e cilësoi si të pajustifikuar dëbimin e diplomatëve të saj, duke shtuar se ishte e gatshme të bashkëpunonte me Uashingtonin për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

“Kuba nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë kurrë përdorimin e territorit të vendit për ndonjë lloj veprimi kundër diplomatëve të akredituar, apo familjarëve të tyre”, thuhej në një deklaratë të ministrisë.

Siç sugjerohet, humbja e dëgjimit mund të jetë shkaktuar nga ndonjë lloj pajisje zanore që lëshon valë e rrezikshme, e vendosur jashtë banesave të diplomatëve.

DASH bëri të ditur se stafi kishte filluar të ankohej për simptomat e çuditshme në fund të vitit të kaluar. Edhe pse ato nuk janë të rrezikshme për jetën, një numër personash janë kthyer në SHBA si pasojë e tyre.

Top Channel