Francë, një i arrestuar pas sulmit ndaj ushtarëve

09/08/2017 00:00

Policia franceze ka arrestuar një person, mashkull, i dyshuar si drejtuesi që përplasi mjetin e tij ndaj një grupi ushtarësh në Paris, duke plagosur 6 prej tyre.

Zyrtarët që kanë njoftuar arrestimin kanë deklaruar se është ende herët të thuhet me saktësi se i bëhet fjalë për shoferin e dyshuar për sulmin e mëngjesit të sotëm në periferinë Levallois të Parisit.

Por një prej burimeve ka theksuar se arrestimi ka qenë i dhunshëm dhe se policisë i është dashur të hapë zjarr ndaj të dyshuarit, një algjerian i identifikuar si Hammou B.

Reagimi me armë i policisë konfirmohet nga fakti se një foto e postuar nga mediat lokale tregon makinën e të dyshuarit, një “BMW” blu, me vrima plumbi.

Mësohet se arrestimi është kryer pas një ndjekjeje të gjatë në një autostradë, me agresorin që ka plagosur edhe një agjent.

Më herët, ministri i Brendshëm i Francës reagoi duke e quajtur si të qëllimshëm sulmin e shoferit ndaj ushtarëve, pasi ai e kishte menduar mirë diçka të tillë.

Gerard Collomb u tha reporterëve se sulmi pranë Parisit shënon herën e gjashtë që ushtarët e përfshirë në operacionin “Sentinelle” kanë rënë prè. Në Francë, gjendja e emergjencës vijon të mbetet në fuqi që prej vitit 2015.

Collomb shtoi më tej se të plagosurit janë vizituar nga ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly, në spitalin ushtarak “Begin” pranë Parisit.

Ministrja kishte marrë lajme të mira nga gjendja shëndetësore e 3 ushtarëve, të cilët fillimisht u raportuan si të plagosur në gjendje serioze. Dëmtimet e marra prej tyre ishin në fytyrë, gjunjë, pëllëmbët e duarve dhe në krahë.

Top Channel