Trump censuron termat mbi ndryshimet klimatike

08/08/2017 00:00

Anëtarët e stafit në Departamentin amerikan të Bujqësisë u udhëzuan që të shmangin termin “ndryshim klimatik” në punë dhe të përdorin togfjalëshin “ekstremet e motit”.

Gazeta britanike “the Guardian” mundi të sigurojë një seri “e-mail”-esh të dërguara nga stafi i Shërbimit të Ruajtjes së Burimeve Natyrore, në të cilat duket qartë ndikimi i thellë i administratës “Trump” në gjuhën e përdorur nga nëpunësit federalë, përsa i takon ndryshimeve klimatike.

Në një letër zyrtare dërguar nëpunësve, drejtoresha e Shëndetit të Tokës, Bianca Moebius-Clune sqaron termat që duhen shmangur nga stafi dhe zëvendësuesit e tyre. “Ndryshimi klimatik” është në kategorinë që duhet shmangur, ashtu si dhe “përshtatshmëria ndaj ndryshimeve klimatike”, që zëvendësohet nga “rezistenca ndaj ekstremeve të motit”.

Në shembuj të tjerë, “reduktimi i gazrave serë” zëvendësohet nga “rritja e përdorimit efektiv të ushqyesve”, ndërsa “magazinimi i karbonit” nga “krijimi i lëndës organike në tokë”.

Në një “e-mail” shkruhet se klima s’është më prioritet i administrarës së re, prandaj departamentet e ndryshme këshillohen të flasin me stafin për t’i informuar për këtë. Kritikët e presidentit amerikan e kanë cilësuar këtë veprim si censurë dhe thonë se është e frikshme që njerëzit në agjencitë federale, të cilët raportojnë për ujin, ajrin dhe tokën, pra shëndetin e kombit, duhet t’u binden normave të retorikës antishkencore të administratës “Trump”.

Top Channel