“Londër 2017”, 30 atletë preken nga shpërthimi i një virusi

08/08/2017 00:00

Kampionati botëror i Atletikës që po zhvillohet në Londër është tronditur nga përhapja e “norovirusit”, ngjarje e konfirmuar edhe nga zyrtarë të Shëndetësisë, një virus që shkakton gastroenterit akut te njerëzit, ose inflamacion të stomakut e zorrëve.

Instituti anglez i Shëndetit Publik (PHE) tha se është njoftuar për rreth 30 raste të atletëve që kanë ardhur në Londër për të garuar në Botërorin e Atletikës “Londër 2017”, të cilët janë sëmurë. Dy prej tyre janë konfirmuar nga testet laboratorike se kanë pasur probleme me të vjellat. PHE-ja ka shtuar se “norovirusi” mund të përhapet shumë shpejt, gjë që nënkupton se raste të tjera të dyshuara mund të rezultojnë në vijim.

Të paktën dy atletë, që duhej të garonin, janë detyruar të tërhiqen nga garat. Ekipet e Gjermanisë dhe Kanadasë që qëndrojnë në hotelin “Tower”, pranë “Tower Bridge”, besohet se janë prekur nga ky virus.

Hoteli tha për “BBC”-në se hetuesit, në bashkëpunim me zyrtarë të shëndetësisë dhe me Shoqatën Ndërkombëtare të Federatave të Atletikës (IAAF), dolën në përfundimin se nuk ishte hoteli, burim i sëmundjes.

“Kemi ndjekur një protokoll strikt të higjienës, duke garantuar se të prekurit nuk do të jenë në kontakte me klientë të tjerë, ndërsa të gjitha ambientet publike janë pastruar me themeli”, njofton në një komunikatë hoteli.

Atleti nga Botsëana, Isaac Makwala, pretendent për medalje në finalen e 400 metërshit këtë të martë, i është dhënë leje mjekësore për t’u tërhequr nga gara e 200 metërshit të hënën, pasi volli në dhomën e emergjencave të stadiumit. Një deklaratë nga IAAF-ja, këtë të martë, njoftonte se ai ishte tërhequr edhe nga gara e 400 metërshit, për shkaqe shëndetësore.

Top Channel