Që nga Roma e lashtë, e deri te Perandoria Osmane, hamamet ishin qendrat estetike të kohës, të cilat artisti Helidon Gjergji i risjell në vëmendje. Ai i quan institucione liberale, ku njerëz të besimeve e kulturave të ndryshme takohen në të njëjtin vend nën në regjim diktatorial si në rastin e perandorive. Ndaj, idenë e tij, ai e ka konkretizuar në çiftin e hamameve në Galerinë Kombëtare të Shkupit.

“Hamamët po t’i quajmë institucione, janë institucione shumë interesante, kanë një jetë shumë të gjatë. Ai në Shkup është i Perandorisë Osmane dhe ajo që me interesonte për hamamin nuk ishte vetëm forma që kanë interesante sesi hyn dielli nga lart, ndriçimi, hijet, dritat, forma e arkitekturës dhe e hapësirës. Më interesonte se si kulturat përplasen, por edhe se çfarë janë të përbashkëtat tek kulturat dhe tek hamami pashë pikërisht këtë pikë takimi. Kjo është ideja kryesore e ekspozitës”, shprehet Helidon Gjergji, artist.

Një tjetër kënd të ekspozitës, artisti ia dedikon erëzave, të cilat i ka ngjitur në një mur me pasqyra duke krijuar një pikturë abstrakte shumëngjyrëshe, por edhe një përzierje aromash, duke dhënë edhe në këtë rast, një reflektim ndaj kulturave.

“Intervistuam 5 komunitetet kryesore etnike në Shkup: maqedonasit, shqiptarët, turqit, romët dhe serbët dhe i pyetëm se çfarë erëzash përdorin në kuzhinën e tyre: 10 erëzat kryesore. Erëzat janë jashtëzakonisht të ngjashme për të mos thënë janë të njëjtat. Në fund të fundit kur fillon edhe shkon përtej sipërfaqes shikon që kulturat janë jashtëzakonisht të ngjashme”, thotë Gjergji.

“Hamami” i Helidon Gjergjit mirëpret vizitorë në Galerinë Kombëtare të Shkupit deri në datën 24 gusht.

Top Channel