Frika për një pandemi të radhës, OBSH: Nuk ka ngjashmëri me Covid, hantaviruset përhapen shumë ndryshe

07/05/2026 17:46

Në kushtet kur kujtimet e Covid-19 janë ende të freskëta, përhapja e hantavirusit në javët e fundit ka shkaktuar jo pak panik në popull dhe këtë e shton edhe mungesa e informacionit në lidhje me këtë.

Frika e një pandemie të re, përveç luftës, është në ajër, por OBSH bën thirrje që të mos ketë panik. Në një njoftim për mediat, i publikuar se fundmi, Organizata Botërore e Shëndetësisë bën me dije se kjo nuk është një tjetër pandemi si e Covid-it.

OBSH-ja thotë se hantaviruset përhapen “shumë, shumë ndryshe” dhe përmes kontaktit të zgjatur. Pesë nga tetë rastet e dyshuara janë konfirmuar dhe të tetë janë persona që ishin në bordin e anijes.

Duke pasur parasysh periudhën e inkubacionit të kësaj sëmundjeje, e cila mund të jetë deri në gjashtë javë, mund të shohim më shumë raste të hantavirusit.

Rreziku për shëndetin publik është i ulët. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së thotë se kjo vlen edhe për Ishujt Kanarie, ku po shkon anija tani.

OBSH-ja shprehet gjithashtu se çifti që u infektua i pari vizitoi vende “ku ishte e pranishme specia e miut që dihet se mbart virusin”. Hetimet për shpërthimin janë “ende në vazhdim”.

 

Top Channel