Anbeta Toromani rikthehet si Carmen, pas një dekade balerina e njohur shqiptare luan në skenë me baletin ikonik

05/05/2026 12:26

Pas gati një dekade mungesë, balerina e mirënjohur Anbeta Toromani rikthehet në Teatrin e Operas dhe Baletit për t’i dhënë jetë rolit ikonik të Carmen. Toromani tashmë synon të fokusohet në rolet që ka përzemër.

Anbeta Toromani, balerinë tha për Top Channel “Balerinët dalin në pension 47 vjeç, kështu që çdo gjë që bëj në këto momente është diçka që më jep atë që dua. Po bëj gjërat që më pëlqejnë dhe sidomos produksionet e Maestros janë ato që kam dhënë më tepër në këto vite. Edhe Carmen më lë shumë brenda vetes, nuk është nga ato balete që e bën njëherë dhe mjafton. Çdo herë gjen diçka të re“.

Pasion, dramë dhe sensualitet në një nga historitë më të fuqishme të skenës botërore. Me muzikën e Georges Bizet dhe koreografinë e Amedeo Amodio, ky produksion i ri sjell një interpretim intensiv të një dashurie që digjet mes lirisë dhe fatit.

Amedeo Amodio, koreograf u shpreh “Me Carmen jam dashuruar që në 1963 kur e luaja në La Scala. Më pas, shkova në Spanjë për të studiuar flamenco-n dhe qëndrova për një kohë të gjatë; jetova me ciganët dhe mësova shumë prej tyre. Versioni im nis me ciganët që kërcejnë të lumtur sepse kanë parë Escamillo-n. Më tej, shfaqet Carmen e veshur me të bardha që dëshiron të shkojë te Don José i saj për t’i thënë se e do”.

Shfaqja vjen për artdashësit në datat 4,5 dhe 9,10 në dy produksione të ndryshme, ku krahas Toromanit, rolin e Carmen e sjell Adela Muçollari, ndërsa përballë tyre, Don José interpretohet nga Alessandro Macario dhe Dion Gjinika.

Pavarësisht problemeve organizative që kemi pasur këtë një muaj e gjysmë, jam i lumtur që jam këtu për të interpretuar këtë vepër teatrale siç e quaj unë, pasi nuk është thjesht balet”, u shpreh Alessandro Macario, balerin.

Nga konferenca për mediat para shfaqjes, Toromani shprehu qëndrimin e saj kritik për mundësitë profesionale që duhet t’u jepen talenteve të reja.

Talente Shqipëria ka pasur gjithmonë, por si e kultivojmë talentin, ky është problem ynë. Sepse ka nevojë për një rritje artistike personale, prandaj them që varet sa ofron teatri për të bërë shfaqje dhe të çfarë niveli”, tha Anbeta Toromani, balerinë.

 

Top Channel