Gazrat e dëmshëm për klimën nuk regjistrohen në inventarë

08/08/2017 00:00

Gazrat e fuqishëm që shkaktojnë ngrohjen globale po çlirohen në atmosferë, por asnjë e dhënë për ta nuk po regjistrohet në inventaret e institucioneve përgjegjëse.

Kështu sugjeron një investigim i BBC, i publikuar në faqen online të gjigandit britanik të informacionit.

Kështu, nga monitorimi i ajrit në Zvicër është konstatuar një prani masive e një gazi që vjen nga një lokalitet i Italisë. Por, vetë Italia ka raportuar në OKB fare pak të dhëna për substancën që çlirohet prej saj.

Ndërkohë, nivelet e disa emetimeve nga India dhe Kina janë aq të paqarta saqë ekspertët thonë se të dhënat janë plus ose minus 100 për qind.

“Këto mangësi përbëjnë një kërcënim më të madh për Marrëveshjen e Parisit për klimën sesa vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për t’u tërhequr prej saj”, kanë deklaruar ekspertët për BBC.

Mes masave kyçe që parashikon Marrëveshja e Parisit, e nënshkruar nga 195 vende të botës në dhjetor të 2015-s, është kërkesa që çdo vend, i pasur apo i varfër, të hartojë çdo dy vjet një inventar për gazrat që çlirojnë.

Në bazë të rregullave të OKB-së, shumica e vendeve mbledhin të dhëna të paraprake, bazuar vetëm në numrin e udhëtimeve të automjeteve, ose në sasinë e energjisë që përdoret për ngrohjen e shtëpive apo zyrave.

Por programet për mbledhjen e kampionëve të ajrit, me qëllim regjistrimin e niveleve aktuale të gazrave, shpesh herë zbulojnë gabime dhe anashkalime.

Në vitin 2011, shkencëtarët zviceranë për herë të parë publikuan të dhënat mbi nivelet e një gazi të quajtur HFC-23, që vinte nga një lokalitet i Italisë.

Mes viteve 2008-2010, ata kishin regjistruar kampione të kimikateve të prodhuara nga industritë e ngrirjes dhe ajrit të kondicionuar, që ka një ndikim në ngrohjen e klimës 14 mijë e 800 herë më të lartë se gazi serrë CO2.

Tani shkencëtarët e stacionit zviceran të monitorimit të ajrit kanë deklaruar për BBC se ky gaz vazhdon të çlirohet në atmosferë.

Top Channel