Skënderbeu është i vetmi ekip shqiptar që vazhdon ende në kupat e Europës, pasi mposhti 2-0 Kairatin mbrëmjen e sotme.
Pas triumfit ndaj azerëve, trajneri Daja është shprehur tejet i lumtur, ndërsa thotë se emocionet shtohen kur je kualifikuar nga një skuadre se Kairati.
“Emocionet shtohen kur ke një ekip si Kayrati. Edhe lojtarët e mi eksperienca i ka ndihmuar. Jemi vënë në vështirësi me vënien e Lilës me karton të kuq, pastaj u treguam pragmatistë. Nuk kemi lojtarë që të rrimë në mbrojtje, por edhe kundërshtari nuk na shqetësoi sepse nuk krijoi raste të pastra. Futbolli luhet për tifozët dhe kur të mbështesin në këtë formë të japin më shumë forcë për të punuar për të ardhmen. Sebino Plaku detyrën që ia kërkuam e bëri mirë, duhet t’i kthehet besimi tek vetja, për të nxjerrë në pah vlerat e veta”, u shpreh trajneri i korçareve për “Supersport” pas ndeshjes.
Portieri Orges Shehi thotë se Skënderbeu është në rrugën e duhur për të shkuar edhe më larg në Europa League.
“Është arritje pas një viti shkëputjeje, treguam edhe një herë që është po ai Skënderbeu i rekordeve. Nga eksperienca është që nuk duhet të qëndrosh në mbrojtje. Vetëm në minutat e fundit na vunë në vështirësi dhe kjo është normale. Jemi futur në fushë të përqendruar, dhe e dinim që do të na vinin rastet për shënim. Hapat do t’i hedhim një e nga një. Do të festojmë pastaj do të mendojmë për kundërshtarin e radhës. Me këto paraqitje që kemi bërë kemi treguar se jemi në rrugën e duhur. Ne besojmë te forcat tona për t’u përballur me çdo kundërshtar”, tha portieri Shehi.
Në turnin tjetër të Europa League-s, Skënderbeu do të ndeshet ndaj ekipit çek Mllada Bolesav, e cila eliminoi Shemrok Rovers.
Top Channel