Peru, fytyra e Zonjës së Caos në 3D

05/07/2017 00:00

Ajo jetoi dhe vdiq 1.700 vite më parë, si priftëreshë e lartë apo sunduese e fortë e një lugine në shkretëtirat e Perusë së lashtë, por sot, falë zhvillimit të shkencës, të gjithë mund të shohin sesi tregonte e famshmja Zonjë e Caos.

Fytyra e udhëheqëses legjendare është arritur të rikonstruktohet në teknologjinë e printimit 3D. Ekspertët u mbështetën në strukturën e kafkës së saj dhe kërkimet etnografike, për të dalë me figurën që kërkoi 10 muaj të marrë formën përfundimtare.

“Me kënaqësi dhe një krenari të veçantë dua të ndaj sot me këtë panel dhe të gjithë të tjerët, faktin që Zonja e Caos e ka një fytyrë dhe ajo është fytyra e Perusë dhe e kulturës së këtij vendi”, tha Salvador del Solar, ministër i Kulturës në Peru.

Qëllimi i kësaj nisme, nga sa shpjegoi vet ministri del Solar është që bota të njihet më mirë me njërën prej zbulimeve më të rëndësishme arkeologjike të Perusë, ndërsa vendasve t’iu kujtohet edhe njëherë trashëgimia e tyre e pasur kulturore.

“Edhe pse vetëm një metër e gjysmë e gjatë, kjo grua ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe ka pasur pozita gati të njëjta me Lordin e Sipanit. Figura e saj është e jashtëzakonshme, sepse na tregon ato çfarë duhet të dimë mbi zhvillimin e Perusë”, tha Salvador del Solar.

Zonja e Caos tronditi nga themelet bindjen se populli i lashtë Moche, që jetonte në luginën e Chicamas, ishte patriarkal. Ajo është varrosur bashkë me kurorën, me zbukurime floriri dhe bakri, si dhe një numër armësh.

Autopsia moderne e bërë trupit të mumifikuar, të zbuluar rastësisht në vitin 2006, tregoi se duhet të ketë qenë te të 20-at kur ka ndërruar jetë, si pasojë ndoshta e komplikacioneve të shtatzënisë ose atyre të shfaqura gjatë lindjes.

Top Channel