Emergjencat nga i nxehti. Shtohen thirrjet për urgjencat mjekësore

29/06/2017 00:00

Nga 25 qershori shumë kanë kërkuar autoambulancë për shkak të tensionit të ulët, dhembjes së kokës të temperaturës së lartë. Konfirmohet se nuk ka asnjë të vdekur nga i nxehti

“Nga dt 25-28 qershor janë pritur 1524 thirrje, janë menaxhuar 1405 skeda, nga të cilat 346 misione shpëtimi, 142 janë çuar në spital”, shprehet Skënder Brataj.

Qendra Kombëtare e Urgjencës ka shtuar numrin e autoambulancave nga 4 në 6, po ashtu dhe numrin e ekipeve. Mjekët janë gati për të ofruar ndihmë edhe me telefon deri sa pacienti të mbërrijë në spital. Po cfarë simptomash ka një njeri që goditet nga i nxehti?

“Ethe, dhimbje koke, të vjella, lëkurë e zbehtë , e ngrohtë, puls i dobët”, sqaron Skënder Brataj.

Që një autoambulancë të arrijë në vendngjarje duhen mesatarisht 13 minuta. Po si duhet të veprojë një qytetar për t’u mbrojtur nga vapa?

“Të evitojë daljet në orën 10-5. Të konsumojnë lëngje, kryesisht ujë, pa gaz, jo të ftohta. Të hanë vakte të shpeshta dhe të vogla. Të rrinë në ambiente të freskëta”, shton Brataj.

Nga 3 prilli, kur nisi punë, qendra kombëtare e emergjencave ka marrë rreth 35 mijë thirrje, mesatarisht 406 në ditë, nga të cilat rreth 67 janë misione shpëtimi.

Top Channel