Një bombolë e vogël kremi ëmbëlsirash me presion i ka marrë jetën një blogereje të njohur fitnesi në Francë.

Rebecca Burger ishte e famshme për këshillat e saj mbi stilin e jetesës dhe udhëtimet që zhvillonte. 33-vjeçarja kishte mbi 50 mijë fanse në Facebook dhe 154 mijë ndjekës në Instagram.

Lajmin e vdekjes së saj e dhanë familjarët, të cilët përdorën rrjetet sociale për të paralajmëruar publikun mbi rrezikun e pajisjes mjaft popullore.

Bombola i shpërtheu blogeres në kraharor. Raportet në median franceze tregojnë se, ajo ndërroi jetë nga një atak në zemër, që erdhi si pasojë e incidentit.

Njëri prej familjarëve të adhurueses së fitnesit i këshilloi njerëzit në Instagram të mos e përdorin bombolën e kremit, duke theksuar se në qarkullim janë me mijëra të tilla me defekte të ngjashme.

Pajisja e përdorur nga Burger injekton gaz në një enë metalike, duke e mbajtur atë nën një presion tejet të lartë. Një grup francez në mbrojtje të konsumatorit ka paralajmëruar prej vitesh mbi rrezikun e pjesëve defektoze bashkuese të kapsulave të gazit.

Edhe pse deri më tani ato nuk kishin shkaktuar vdekje, raste dëmtimesh janë raportuar edhe më parë, e në njërin prej tyre një përdorues humbi njërin sy. Në vitin 2013, një viktimë e plasjes së një bombole të ngjashme i tha radios “RTL” se, nga shpërthimi kishte thyer 6 brinjë dhe dërrasën e kraharorit, ndërsa në spital e patën sqaruar se, po ta kishte pajisjen të drejtuar nga zemra do të kishte vdekur në vend.

Top Channel