Heremiti i fundit “nis punën” në malet e Austrisë

24/05/2017 00:00

Një 58-vjeçar nga Belgjika, ka marrë zyrtarisht postin e heremitit zyrtar të Saalfeldenit, duke jetuar në një kishëzë të ndërtuar në mes të shkëmbinjve në malet e Austrisë perëndimore.

Stan Vanuytrecht, ish-teknik, ishte një nga 70 kandidatët nga Shtetet e Bashkuara, India, Australia dhe disa shtete të tjera, që aplikuan për pozicionin e papaguar në një nga vendet e fundit të vetmuara të Europës.

Një njoftim për vendin vakant specifikonte se kandidati duhej të ishte në paqe me veten dhe të ishte i lidhur me besimin e krishterë.

Kisha e izoluar 350-vjeçare, romano-katolike, në provincën e Salzburgut, nuk ka energji elektrike, nuk ka ujë të pijshëm dhe as ngrohje. Por, në këmbim, ka pamje mahnitëse të natyrës përreth. Kisha 40 metra katror është ndërtuar brenda një faqeje shkëmbi në lartësinë e mbi 1 mijë metrave mbi nivelin e detit. në jetën e tij të re, Vanutrecht, duhet të zbresë dhe të ngjitet për 250 metra për të siguruar ujë. Por, i ulur në një stol, nën diellin e fillim verës, para kishës së tij, ai reflekton qetësinë e një burri që ka gjetur atë çka ka dashur.

E duke ndezur duhanin, me shikimin drejt akullnajës Kotzsteinhorn, ai thotë se kjo punë, i ka ndryshuar tërësisht jetën.

Zakonisht, heremiti i Saalfeldenit, jeton në kishëz për shumë vite dhe gjen një pasues të tij. Por, heremiti i fundit, vendosi krejt papritur të largohej pas vetëm tetë muajsh qëndrimi atje.

Aplikantëve për vendin bosh iu tha të mos prisnin izolim të plotë pasi shumë vizitorë arrijnë deri në kishëz për të shijuar panoramën, për t’u lutur dhe për të biseduar. Dhe Vanutrecht, është i përgatitur, me një shishe “shnapps” të gatshme për vizitorët dhe me një copë kek për fëmijët, gjithmonë gati.

Top Channel