Çekani i ankandit të shtëpisë “Christie’s” në Gjenevë do të bjerë këtë herë për bizhu marramendëse, në mesin e të cilave ishte dhe diamanti më i madh në formë zemre i botës, i cili varet nga një gjerdan perlash.

Guri i çmuar 92-karatësh pa ngjyrë pritet të shitet për një shumë gati 20 milionë dollarë. Aq e vështirë është të besohet se forma e tij perfekte është reale, sa kanë vendosur ta pagëzojnë “Legjenda”.

“Është një xhevahir i jashtëzakonshëm, që mban firmën e Charles Boehmer dhe Paul Bassenge, argjendarët e kurorës së Francës në kohën e Luigjit të XV. Ai humbi gjurmët në fundin e shekullit të XVIII për t’u rikthyer vetëm tani në jetë. U rishfaq dy vite më parë dhe ne kemi sot privilegjin ta nxjerrim në shitje”, tha Jean-Marc Lunel, specialist i “Christie’s”.

Në ankand do të dalin gjithashtu edhe vathë diamantësh të rrallë me ngjyrë rozë dhe blu, në formë dardhe. Kuotimi i tyre është mjaft i lartë, e në fund mund të jepen për 50 dhe 70 milionë dollarë. Gurët e quajtur “Apollo” dhe “Artemida” janë më të çmuarit e nxjerrë ndonjëherë atje në ankand.

Top Channel