Atlantiku rikthen plazhin që “vodhi”

09/05/2017 00:00

Një plazh që  ishte zhdukur pas stuhive më shumë se 30 vjet më parë, është rishfaqur në bregun perëndimor të Irlandës. Rëra në Dooagh të ishullit Achill, u zhduk dimrin e 1984 duke lënë pas vetëm shkëmbinj dhe pellgje uji.

Por, gjatë muajit prill, Atlantiku riktheu atë që kishte vjedhur duke depozituar mijëra tonë rërë dhe duke krijuar një rrip të ri të artë, 300 metra të gjatë.

Stuhitë e 1984-ës morën me vete edhe grimcën e fundit të rërës në plazh, rrëfejnë banorët lokalë, por, muajin e kaluar, brenda 10 ditësh kohë, erërat e forta që erdhën nga veriu, riktheu gjithçka.

Achill është ishulli më i madh i Irlandës dhe territori i tij është i mbushur me kodrina, ndërsa plazhet e rrahura nga era kanë frymëzuar shumë shkrimtarë përfshirë Graham Green dhe Hainrih Boll.

Me një popullatë prej më pak se 3 mijë banorësh, burimi kryesor i të ardhurave është turizmi dhe rikthimi i plazhit të zhdukur ka sjellë jo pak optimizëm.

Zyrtarët e turizmit thonë se në ishull vijnë 150 deri në 180 mijë vizitorë në vit, por dielli që po ngroh gjithnjë e më shumë dhe plazhi i ri, kanë tërhequr dhe do të tërheqin akoma më shumë. Vetë banorët, tani, shpresojnë që plazhi është rikthyer për të qëndruar.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel