Funerali i violinistit

06/05/2017 00:00

Funerali i njërës prej viktimave të trazirave të dhunshme në Venezuelë ka tërhequr vëmendje të veçantë në vend e jashtë tij.

Violinisti i talentuar18-vjeçar, Armando Canizales ishte pjesë e programit të orkestrës kombëtare të të rinjve, e në rrugët e Karakasit kishte dalë bashkë me qindra kundërshtarë të tjerë të sundimit të egër të Nicolas Maduros.

Canizales vdiq i qëlluar me plumb në kokë. Të afërm, miq, e plot muzikantë të tjerë i kanë bërë homazhet e tyre të riut, jeta e të cilit u këput aq shpejt. Edhe dirigjenti venezuelian me famë botërore, Gustavo Dudamel e vajtoi këtë humbje në rrjetet sociale. “Kjo e tepërt! Boll me gjakderdhjen!”, shkroi ai.

Mikesha e të riut të vrarë, Daniela Barbieri tha për Euronews se e kishte njohur prej nëntë vitesh dhe përveçse thellësisht e tronditur, ishte dhe shumë e trishtuar nga fakti që Armando nuk arriti të shijonte 18-vjetorin e tij.

“Sapo kishte mbushur 18 vjeç. Tani i kishte mbushur, s’kishte një muaj”, tha ajo mes lotëve. 

Demostruesit në Venezuelë janë të acaruar nga fakti që Maduro kërkon të grumbullojë akoma më tepër pushtet në duart e tij. Zemërimin e tyre e shtoi edhe më shumë dekreti i fundit qeveritar që parashikon krijimin e organizmit 500 anëtarësh, i cili do të rihartojë Kushtetutën, duke anashkaluar kështu Asamblenë Kombëtare të kontrolluar nga opozita.

Gjatë protestave disajavore kanë humbur jetën të paktën 36 vetë, e janë plagosur me qindra të tjerë.

Top Channel