FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), në vitin 2016 ekonomia shqiptare regjistroi ecurinë më të mirë në 6 vite, duke mundur edhe vet pritshmëritë e qeverisë, e cila parashikonte një rritje 3.4 për qind.
“Me publikimin e tremujorit të katërt të vitit 2016, INSTAT jep një vlerësim paraprak të vitit të kaluar, i cili rezultoi me rritje 3.46 për qind, në krahasim me vitin 2015”, tha Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT-it.
Zyra e Statistikave thotë se rimëkëmbja e ekonomisë fitoi terren pikërisht në tremujorin e fundit të vitit, ku shënoi rritjen më të lartë në 9 tremujorë.
“Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e katërt të vitit 2016 vlerësohet me rritje me 3.97 për qind, kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2015”, tha më tej Ibrahimaj.
Gjallërimi i aktivitetit ekonomik është ndikuar nga rritja e ndjeshme e prodhimit të energjisë, por edhe gazsjellësi transadriatik (TAP), i cili i ka dhënë një shtysë të madhe sektorit të ndërtimit dhe atij të transportit.
“Aktiviteti i industrisë, energjisë dhe ujit u rrit me 5.14 për qind, i ndikuar kryesisht nga rritja në nëndegën e energjisë elektrike me 61.94 për qind. Aktiviteti i ndërtimit u rrit me 6.81 për qind, i ndikuar kryesisht nga kompanitë private, që punojnë në projektet e lidhura me projektin TAP”, tha drejtoresha e INSTAT-it.
E parë nga përbërësit e kërkesës, ekonomia ka përfituar si nga rritja e konsumit të popullatës, ashtu dhe zgjerimi i investimeve të biznesit.
Top Channel