1 Prilli, çfarë shkruan sot gazetat

01/04/2017 00:00

Lajme “përtej të vërtetës” dhe “Fake News” i janë ushqyer publikut me shumicë muajt e fundit, e mes më të spikaturve mund të përmendet dasma e fshehtë e Prince Harry.

Apo 350 milionë paundët në javë që Britania i paguan BE-së, stampuar në autobusin e fushatës së mbështetësve të Brexitit apo inflacioni i turmës në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri amerikan nga vetë ky i fundit.

Por, këtyre dhe shumë të tjerëve, të shtunën, i janë bashkuar edhe një seri shkrimesh të ngjashme në gazetat më të mëdha të botës, por këtë radhë, duke ndjekur një traditë të hershme, atë të historive të 1 prillit, ditës së gënjeshtrave sic njihet tek ne ose April Fools day në vende të tjera.

Kështu, the Guardian e Londrës, raportonte se ish-kancelari britanik, George Osborne, po lançon një linjë të vetën veshjesh.

Daily Telegraph, raporton se një ari polar jeton në një nga ishujt hibridë, në perëndim të skocisë. Daily Mail, flet për dasmën sekrete të princit Harry dhe e bën këtë në dy faqe të plota. Daily Mirror thotë se kuajt në garat kombëtare do të lejohen të mbajnë kufje për të dëgjuar muzikë ndërsa Daily Express, nuk ka një ide fort të keqe…ajo raporton se një kompani picash, po planifikon të krijojë një kuti vetëngrohëse që do ta mbante picën të nxehtë deri në 12 orë.

1 Prilli, është shfrytëzuar shumë edhe nga kompanitë publicitare, kjo edhe me shpresën për pak publicitet shtesë. Kështu, Kompania Virgin Atlantic, ka zbuluar avionin e ri të saj Dreambird 1417, që ka krahë që përkulen dhe krijojnë rrahjen ekzakte të flatrave të zogjve çka jo vetëm e shtyn avionin para por edhe gjeneron energji për të plotësuar nevojat në bord.

Videoja e publikuar, për hir të së vërtetës është bindëse e po të mos ishte për komunikatën e kompanisë që e shoqëronte, do të merrej seriozisht. Trendi është ndjekur edhe nga Coca Cola, që flet për lancimin e një varianti me helium të pijes çka sidoqoftë nuk ka mundur të gënjejë shumë njerëz, pasi kompania shtonte: Jemi të kënaqur që po lançojmë Coca Cola Helium këtë vit.

Kjo, zgjeron varietetin e pijeve tona. Popullariteti i koka kolës vazhdon të rritet dhe ky variant i ri do të jetë një sukses që do të fluturojë shpejt në qiell.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel