Përmbytjet e shkaktuara nga cikloni “Debbie” në rajonin e Queenslandit në Australi nuk kanë ndaluar një pjesë të qytetarëve që të argëtohen, duke injoruar thirrjet e autoriteteve për kujdes.

Nga shumë zona të Queenslandit vijnë video, ku shihen njerëz që bëjnë xhiro me motorë uji, pikërisht aty ku para pak ditësh ishte tokë e thatë, apo të tjerë që lahen mes rrymave të forta të përrejve të fryrë nga reshjet e dendura.

Por nëna natyrë i ka dhënë një ndihmesë të madhe autoriteteve për të bindur njerëzit që të mos bëjnë lojëra të tilla. Në qytezën Ayr u shfaq në mes të rrugës një peshkaqen “dem”, i cili duket se është shtyrë prej detit nga vrulli i përmbytjeve. Mesazhi i Departamentit të Zjarrfikësve në “Twitter” ishte i qartë.

“Mendoni se është e sigurtë të hyni në ujë? Mendohuni sërish, sepse një peshkaqen u shfaq në Ayr. Qëndroni jashtë ujërave në zonat e përmbytura”.

Autoritetet thanë se, vërtet grabitqari i rrezikshëm nuk jetonte, por është tregues se të tjerë si ai mund të jenë gjallë ende në ujërat e turbullta që kanë përmbytur shumë zona. Në “Twitter”, batutat për ngjarjen e rrallë nuk munguan dhe një prej tyre shkruante se, shfaqja e një peshkaqeni në asfalt i jep një kuptim plotësisht të ri situatave kur kafshët kalojnë rrugën.

Top Channel